Takim koordinues – Kodi Civil

October 23, 2023

MIRATIMI I KODIT CIVIL ÇËSHTJE KRUCIALE PËR AVANCIMIN E TË DREJTAVE DETYRIMORE, PRONËSORE, FAMILAJRE DHE TRASHËGIMORE ME THEKS TË VEÇANTË TË DREJTAT E GRAVE NË PRONË DHE TRASHËGIMI

Shoqata Norma mbajti takim koordinues në të cilin u theksua nevoja e avancimit të drejtave pronësore në Kosovë për të gjithë qytetarët e në veçanti të drejtat pronësore dhe trashëgimore ë grave. Takimin e hapi Drejtoresha e Shoqatës Znj Valbona Salihu. Përveç anëtarëve të Shoqatës në takim morën pjesë edhe Znj. Nazlie Bala Këshilltare e Ministres së Drejtësisë dhe Prof.Dr.Haxhi Gashi, Profesor i të drejtës civile dhe Ekspert Kryesor i Projekt-Kodit Civil. Në takim u dhanë sqarime se Projekt-Kodi Civil i Kosovës ka rregulluar dhe avancuar të drejtat civile tëtë gjithë qytetarëve si: të drejtat detyrimore (kontratat dhe detyrimet tjera), të drejtat pronësore, të drejtat familjare dhe të drejtat trashëgimore. Në veçanti, Projekt-Kodi Civil ka rregulluar dhe adresuar probleme të drejtave pronësore të qytetarëve me të cilat çdo ditë ballafaqohen; ka rregulluar pronësinë e përbashkët të bashkëshortëve duke paraparë që pjesët dhe kontributet janë barabarta; është avancuar e drejta e trashëgimisë së qytetarëve ashtu që kjo e drejtë mund të kërkohet në çdo kohë dhe nuk parashkruhet (vjetërsohet) kërkesa; janë përcaktuar procedura efikase dhe transparente të shqyrtimit të trashëgimisë para noterëve dhe gjykatës duke paraparë edhe fillimin e procedurës sipas detyrës zyrtare; janë avancuar të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtja e veçantë e tyre etj.

Duke e parë rendësin e miratimit të Kodit Civil të Republikës së Kosovës, Shoqata Norma i bënë thirrje të gjithë akterëve dhe institucioneve relevantë, shoqërisë civile duke përfshirë këtu Qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës, që të përkrahin miratimin sa ma parë të Kodit Civil si një dokument strategjik për rregullimin e të drejtave civile të qytetarëve. Ky dokument ligjor me 1630 nene rregullon të gjitha të drejtat civile të qytetarëve dhe jo vetëm një institut siç ka qenë debati kryesor bashkësia civile e personave me gjini të njëjtë. Mos miratimi i Kodit Civil ka lënë me mungesa në zbatim të drejtat tjera civile si ato detyrimore, pronësore, familjare dhe trashëgimore të cilat me ligjet aktuale nuk gjejnë respektimin e duhur. Kodi Civil i ka avancuar këto të drejta në pajtim me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare dhe parimet themelore Kushtetuese.

Shoqata Norma do të jap kontributin e saj në të gjitha fazat e miratimit të Kodit si në Qeveri ashtu edhe në Parlament.