Fjala hyrëse e drejtoreshës ekzekutive

Shoqata e Juristëve NORMA është themeluar në vitin 1998 nga 12 anëtare juriste. Duke ndier nevojën për ofrimin e një ndihmese dhe kontributi shoqërisë kosovare, veçmas grave, që në atë kohë ishin në shumë fusha të rrezikuara, një grup juristesh me përvojë të gjatë si gjykatëse, avokate, juriste, në institucione të ndryshme administrative, u themelua Shoqata e Juristeve për Ndihmë Grave NORMA,organizatë kjo joqeveritare, jopërfituese dhe jopartiake. Në vitin e parë të themelimit, në pamundësi të regjistrimit, pa mbështetje financiare, pa zyrë, por me vullnet të madh, me ndihmën dhe kontributin e familjarëve të anëtareve të Shoqatës, kryesisht në shtëpitë e tyre organizoheshin takime të shpeshta pune, me të vetmin qëllim, realizimin e misionit të përcaktuar të Shoqatës.

Në lokalet e Kryqit të Kuq, në Prishtinë, pas përfundimit të luftës në Kosovë, nga fundi i vitit 1999, filloi puna shumë më intensive dhe me kushte dukshëm më të mira, me udhëheqjen e Drejtoreshës Ekzekutive Znj. Vjosa Nimani Zylfiu Një staf prej më se 20 vetave, në shtatë zyra, eme aktivitete që përmblidheshin në realizimin e gati 10 projekteve, shoqata i përngjante një zgjoi të bletëve, ku punohej, jo rrallë, mbi 10 orë në ditë. Ky intensitet zgjati disa vite, ndërkaq më vonë filloi të zvogëlohej, pasi juristet, anëtare të shoqatës, u punësuan në vende të tjera të punës ku edhe para viteve 90 kishin punuar, apo në disa institucione të tjera të rëndësishme, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, derisa strukturat qeveritare, institucionet vendore dhe ndërkombëtare mëkambeshin.

Puna në shoqatë, edhe pse me numër më të vogël të anëtareve të shoqatës, të angazhuara në realizimin e projekteve, vazhdoimeelan dhe profesionalizëm të njëjtë.

Aktualisht, në realizimin e projekteve dhe aktiviteteve të tjera të shoqatës, drejtpërdrejtë janë të punësuara pesë anëtare-juriste, kurse shtatë të tjera janë të punësuara në institucione të tjera, duke u angazhuar kohë pas kohe në këtë shoqatë.

Tani me riemërimin në Shoqata e Juristëve NORMA, shoqata po hyn në dekadën e dytë të veprimtarisë së saj, me 55 projekte të realizuara dhe shumë aktivitete të tjera të parapara në misionin e saj. E gjithë kjo, e edhe më shumë, nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e partnerëve tanë, si të atyre vendorë, ashtu edhe ndërkombëtarë, të cilët janë shumë të rëndësishëm për ne dhe meritojnë falënderime të veçanta.

Së shpejti shoqata pret angazhimin edhe në disa projekte të tjera. Ajo në vazhdimësi synon të mbetet në rrjedhat aktuale të zhvillimeve dhe ofron kontributin e vet për avokim dhe ndikim në avansimin e mekanizmave dhe proceseve jetësore, si pjesë e shoqërisë civile në Kosovë.