Në qytetin e Mitrovicës, u mbajt faza e dytë e trajnimit e organizuar nga Shoqata e Juristëve Norma.

Mitrovicë, 14 Shkurt 2019

Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe institucioneve lokale, që si veprimtari kryesore kanë zhvillimin e politikave vetëdijësuese për eliminimin e dhunës në familje në përgjithësi dhe eliminimin e dhunës ndaj gruas në veçanti.

Norma, përmes këtij trajnimi, pjesëmarrësve iu shpalosi pikëpamjet e organizatës, udhëzimet dhe teknikat parandaluese në luftën kundër dukurive negative që prekin institucionin e familjes, specifikisht atyre që prekin direkt zhvillimin e barazisë gjinore në shoqërinë tonë. Këto udhëzime janë gjithmonë në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe ligjet vendore në fuqi.

Trajnimi i organizuar është aktivitet i projektit "Përkrahja për iniciativat avokuese të organizatave të shoqërisë civile për zbatimin e strategjisë kombëtare për dhunën në familje dhe eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave në përputhje me Konventën e CEDAW dhe Konventën e Stambollit".

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të programit "Eliminimi i dhunës ndaj grave, zbatimi i normave, ndryshimi i mendjes", që realizohet nga NORMA me mbështetje të BE/UNWOMEN.